
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia për ndërprerjen e energjisë elektrike mbrëmjen e së hënës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), një incident që, sipas tij, rrezikoi jetën e pacientëve, veçanërisht atyre të shtruar në reanimacion.
Përmes një reagimi publik, Meta ironizoi qeverinë, duke e cilësuar situatën si një tjetër dëshmi të dështimit të shëndetësisë dhe sektorit energjitik në vend.
“Ky është ‘suksesi më i madh’ i shëndetësisë falas, i koncesioneve korruptive dhe i qindra milionë eurove investime në sektorin energjitik. Vjedhja skizofrenike, duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve edhe në spitale, është kriminale,” shprehet Meta.
Nga ana tjetër, QSUT reagoi pas incidentit duke sqaruar se ndërprerja e energjisë ka qenë e përkohshme dhe se pajisjet mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht gjatë gjithë kohës.
Shefi i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit, Krenar Lilaj, deklaroi më herët për mediat se defekti ka qenë i rëndë, por se jeta e pacientëve nuk është vënë në rrezik.
Sipas tij, pacientët e lidhur me aparate ventilimi janë të pajisur me sisteme rezervë energjie.
“Pacientët e ventiluar kanë ‘backup’, çka mundëson funksionimin e aparaturave edhe në rast ndërprerjeje të energjisë elektrike,” u shpreh Lilaj.