
Industria gjermane ka reaguar ashpër ndaj planit të presidentit amerikan Donald Trump për të përdorur tarifa ndëshkuese me qëllim ushtrimin e presionit mbi Danimarkën që t’i shesë Shteteve të Bashkuara ishullin strategjik të Groenlandës.
Trump ka paralajmëruar vendosjen e një vale tarifash të reja ndaj aleatëve evropianë, derisa SHBA të lejohet të blejë territorin, duke rritur tensionet tregtare vetëm pak ditë para votimit të Parlamentit Europian për uljen e tarifave.
Presidenti i shoqatës gjermane të inxhinierisë VDMA, Bertram Kawlath, e cilësoi këtë qasje si të papranueshme: “Nëse BE dorëzohet, kjo vetëm do ta inkurajojë presidentin amerikan të bëjë kërkesën tjetër qesharake dhe të kërcënojë me tarifa të tjera.”
Edhe Volker Treier nga Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë (DIHK) tha se qëllimet politike tejet të debatueshme po lidhen padrejtësisht me ndëshkime ekonomike.
Të dy institucionet kërkuan që Bashkimi Europian të përgjigjet në mënyrë të unifikuar, përfshirë përdorimin e Instrumentit Kundër Shantazhit Ekonomik të BE-së, që mundëson kundërmasa ndaj shteteve që ushtrojnë presion ekonomik mbi vendet anëtare.
Kërcënimet e Trump mund të vënë në rrezik marrëveshjet e arritura vitin e kaluar mes SHBA-së, BE-së dhe Britanisë, e cila po ashtu është objektiv i tarifave të planifikuara për Groenlandën.
VDMA dhe DIHK dyshojnë se Parlamenti Europian do të votojë për uljen e tarifave me SHBA-në javën e ardhshme, duke qenë se Uashingtoni po rrit presionin tregtar.
Megjithatë, presidenti i Institutit IfW, Moritz Schularik, tha për Reuters se efektet ekonomike të tarifave ndaj Groenlandës do të jenë të menaxhueshme për Gjermaninë, duke theksuar: “Vetëm rreth 10% e tregtisë sonë të jashtme lidhet me SHBA-në. BE-ja duhet të mos lejojë shantazhin dhe të qëndrojë e bashkuar.”