
Pesë skiatorë humbën jetën të shtunën në dy orteqe në rajonin Salzburg Pongau në Austrinë perëndimore, bënë të ditur autoritetet.
Katër skiatorë u vranë nga një rrëshqitje bore në Luginën Gastein, në jug të qytetit të Salzburgut, e cila mori përpara shtatë persona. Dy u plagosën dhe një i tretë shpëtoi i padëmtuar, raportoi Agjencia Austriake e Lajmeve (APA).
Katër helikopterë shpëtimi, ekipe të shpëtimit malor, ekipe me qen të Kryqit të Kuq dhe një ekip ndërhyrjeje për kriza u dërguan me shpejtësi në vendngjarje, shkruan CNN.
Rreth 90 minuta më parë, një skiatore vdiq pasi u varros nën një ortek në zonën e afërt të Bad Hofgastein, në një lartësi prej rreth 2,200 metrash, njoftoi APA.