Vendosni fjalën kyçe....

Një buton për të provuar që je gjallë, aplikacioni i ri që po pushton të rinjtë në Kinë


Në Kinë, emërtimet shpesh janë ose jashtëzakonisht poetike, ose befasueshëm të drejtpërdrejta. Një aplikacion i ri, që po bëhet shumë popullor mes të rinjve kinezë, i përket qartazi kategorisë së dytë.

Quhet thjesht: “A je i vdekur?”

Në një vend të madh, ku gjithnjë e më shumë të rinj jetojnë larg familjes dhe lëvizin vazhdimisht, ky aplikacion me vetëm një buton që këtë muaj ka shpërthyer në popullaritet në hapësirën digjitale kineze  bën pikërisht atë që premton. Personat që jetojnë vetëm në qytete të largëta dhe konsiderohen në rrezik, ose thjesht perceptohen si të tillë nga të afërmit, mund të shtypin një rreth të madh jeshil në ekranin e telefonit dhe t’u dërgojnë një shenjë jete miqve ose familjarëve, shkruan AP.

Kostoja e shërbimit është 8 juanë (rreth 1.10 dollarë).  I zhvilluar nga tre të rinj në të 20-at e tyre, aplikacioni “A je i vdekur?” u rendit javën e kaluar si aplikacioni me pagesë më i shkarkuar në Apple App Store në Kinë, sipas raportimeve të mediave lokale. Ai po bëhet gjithashtu një nga aplikacionet më të shkarkuara edhe në vende të ndryshme si Singapori, Holanda, Britania, India dhe Shtetet e Bashkuara.