
Reza Pahlavi, ish-princi i kurorës së Iranit dhe figurë opozitare në mërgim, deklaroi të premten në Uashington se demokracitë perëndimore duhet të “veprojnë tani” për të mbështetur rezistencën kundër regjimit islamik në Teheran, duke paralajmëruar se situata është në një moment kritik, përcjell DW.
“Ky regjim është në momentet e fundit. Është pranë kolapsit,” tha Pahlavi gjatë një konference për shtyp, ku prej dekadash jeton në mërgim pas largimit nga Irani në vitin 1978. Ai theksoi se bota demokratike duhet të tregojë vendosmëri përballë, sipas tij, “shtypjes brutale” të regjimit iranian.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Irani është përfshirë nga protesta të gjera, të nisura fillimisht për shkak të vështirësive ekonomike dhe që më pas janë shndërruar në sfidën më të madhe ndaj pushtetit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Sipas organizatës “Iran Human Rights”, me seli në Oslo, të paktën 3.379 protestues janë vrarë gjatë përplasjes me forcat e sigurisë në fillim të janarit, megjithëse organizata thekson se ky është një vlerësim minimal.
Pahlavi u bëri thirrje veçanërisht vendeve evropiane që të rrisin presionin politik dhe ekonomik ndaj Teheranit. “Njerëzit që rrezikojnë jetën në rrugë presin veprime konkrete nga Evropa për të përshpejtuar fundin e këtij regjimi dhe për të shmangur humbje të tjera jetësh,” u shpreh ai, duke sqaruar se nuk po kërkon ndërhyrje ushtarake.
Nga ana e saj, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj zyrtarëve iranianë përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve, ndërsa ka ndaluar edhe hyrjen e diplomatëve iranianë në ambientet e Parlamentit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi “tronditës” numrin e viktimave dhe dënoi përdorimin e tepruar të forcës.
Pahlavi vlerësoi gjithashtu mbështetjen e shprehur nga administrata amerikane, duke thënë se deklaratat e presidentit amerikan janë “inkurajuese dhe fuqizuese” për protestuesit iranianë. Ai shtoi se beson se mund të luajë një rol në një tranzicion të qëndrueshëm politik, duke pretenduar se pjesë të forcave të sigurisë iraniane i kanë shprehur atij mbështetje në mënyrë jozyrtare.
“Do të kthehem në Iran,” deklaroi Pahlavi, pa dhënë një afat konkret, duke theksuar se pavarësisht veprimeve ndërkombëtare, iranianët “nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ta vazhdojnë luftën për liri”.