Vendosni fjalën kyçe....

TikTok do forcojë kontrollet e moshës në gjithë Evropën


TikTok do forcojë kontrollet e moshës në gjithë Evropën në javët në vijim, duke nisur zbatimin e një teknologjie të re për zbulimin e përdoruesve nën moshë, në një kohë kur platforma në pronësi të ByteDance po përballet me presion në rritje nga rregullatorët evropianë për të identifikuar dhe larguar më me efektivitet llogaritë e fëmijëve nën 13 vjeç.

Kompania i tha Reuters se sistemi i ri, i testuar më parë për një vit në Britani, analizon të dhënat e profilit, përmbajtjen e publikuar dhe sinjalet e sjelljes për të vlerësuar nëse një llogari i përket një përdoruesi nën moshën e lejuar.

Llogaritë e dyshuara nuk do të bllokohen automatikisht, por do t’i nënshtrohen shqyrtimit nga moderatorë të specializuar.

Ky zhvillim vjen ndërsa autoritetet evropiane po intensifikojnë kontrollin mbi mënyrën se si platformat sociale verifikojnë moshën e përdoruesve, në kuadër të rregullave strikte të mbrojtjes së të dhënave dhe shqetësimeve se metodat aktuale janë ose joefektive, ose tepër ndërhyrëse për privatësinë.

Debati është përshkallëzuar edhe nga iniciativa të ndryshme ligjore, përfshirë vendimin e Australisë për të ndaluar mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç dhe thirrjet në Parlamentin Evropian për vendosjen e kufijve të detyrueshëm të moshës, ndërsa Danimarka po shqyrton ndalimin e tyre për ata nën 15 vjeç, shkruan Reuters.

TikTok tha se projekti pilot në Britani çoi në heqjen e mijëra llogarive shtesë të fëmijëve nën 13 vjeç. Paralelisht, kompania po përballet edhe me sfida ligjore, pasi një gjykatës shtetëror në Delaware pritet të shqyrtojë një kërkesë të TikTok për rrëzimin e një padie të ngritur nga prindërit e pesë fëmijëve britanikë që humbën jetën gjatë kryerjes së supozuar të sfidave të rrezikshme të përhapura në platformë.

Padia pretendon se algoritmet e TikTok promovuan përmbajtje të rrezikshme për fëmijët, përfshirë të ashtuquajturën “sfidë e asfiksisë”, ndërsa kompania ka deklaruar se ndalon rreptësisht çdo përmbajtje që nxit sjellje të rrezikshme dhe ka shprehur ngushëllime për familjet e prekura.

TikTok theksoi se nuk ekziston ende një metodë e unifikuar globale për verifikimin e moshës që ruan plotësisht privatësinë e përdoruesve dhe se, për ankesat kundër bllokimeve, do të përdorë vlerësimin e moshës përmes analizës së tipareve të fytyrës nga kompania Yoti, si edhe kontrolle përmes kartave të kreditit dhe dokumenteve zyrtare të identitetit.

Kompania shtoi se teknologjia e re është zhvilluar posaçërisht për tregun evropian dhe në përputhje me kërkesat rregullatore të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Komisionin Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, dhe se përdoruesit do të njoftohen sapo sistemi të vihet në funksion.