Vendosni fjalën kyçe....

Hulumtimet arkeologjike, rregullat për lejet dhe monitorimin e tyre


Hulumtimet arkeologjike duhet të respektojnë në mënyrë rigoroze lejet e tyre dhe për këtë synohet të vendoset një monitorim më i gjerë. Në një udhëzim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve përcaktohet konkretisht se cilat janë këto rregulla të reja.

Kështu së pari sipas udhëzimit nënvizohet se hulumtimet arkeologjike kryhen vetëm mbi bazën e lejes së miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM), sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 27/2018, i ndryshuar dhe VKM-në nr. 220/2021.2.

« Institucioni i specializuar që kryen veprimtari të hulumtimit arkeologjik ose subjekti i licencuar në fushën e arkeologjisë, i pajisur me leje nga KKTKM-ja për kryerjen e hulumtimeve arkeologjike mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e kushteve të përcaktuara në leje dhe në projektin e miratuar Çdo leje lidhet me një drejtues projekti, i cili mban  përgjegjësi  individuale  për  korrektësinë metodologjike, raportimin dhe ruajtjen e të dhënave» thuhet në udhëzim.

I njëjti përcakton se subjekti përfitues i lejes ka një sërë detyrimesh ku së pari të njoftojë institucionin përgjegjës për fillimin dhe përfundimin e hulumtimit.

Së dyti të zhvillojë hulumtimin arkeologjik brenda kufijve dhe koordinatave të përcaktuara në lejen përkatëse, të miratuar nga KKTKM-ja.

Së treti të zbatojë projektin e miratuar dhe standardet profesionale të hulumtimit arkeologjik. Së katërti të  njoftojë  institucionet  përgjegjëse  për trashëgiminë kulturore në çdo rast ku vlerësohet dhe gjykohet e nevojshme për ndryshime në projektin e miratuare.

Po kështu të garantojë mbrojtjen, ruajtjen dhe integritetin e gjetjeve dhe/apo vlerave të trashëgimisë kulturore të zbuluara gjatë hulumtimit.

Së pesti të sigurojë kushte ruajtjeje ndaj ndikimit të kushteve atmosferike, siguri fizike si dhe  të  bashkëpunojë  gjatë  mbikëqyrjes  nga institucionet përgjegjëse të specializuara. Së gjashti  të kryejë dhe të përpilojë dokumentacionin teknik, në përputhje me kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor vendas.

Autoritetet përgjegjëse në vend kanë të drejtë që të kryejnë inspektime në vendet ku po zbatohet leja e hulumtimit arkeologjik pa njoftim paraprak.

Udhëzimi parashikon se pas përfundimit të hulumtimit, institucioni i specializuar  që  kryen  veprimtari  të  hulumtimit arkeologjik ose subjekti i licencuar në fushën e arkeologjisë,  i  pajisur  me  leje  për  hulumtime arkeologjike, paraqet raportin përfundimtar pranë institucionit përgjegjës.  Raporti  përfundimtar  përbën  kusht  për vlerësimin  e  veprimtarisë  së  institucionit  apo subjektit  dhe  për  shqyrtimin  e  kërkesave  të ardhshme për leje.

Rritja e interesit turistik për Shqipërinë ka rritur vëmendjen edhe për segmenti kulturor në vend ku sitet arkeologjike dhe objektet e trashëgimisë kanë fituar vit pas viti gjithmonë e më shumë vëmendje. Në vitin 2025 sipas të dhënave zyrtare Ministria raportoi se ishin 1.5 milionë turistë që kanë vizituar sitet arkeologjike dhe institucionet kulturore në vend. / N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor