
Pesë shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet spanjolle nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas mediave spanjolle, policia ka sekuestruar një sasi prej 200 kilogramësh kokainë, e cila u gjet brenda një kontejneri në një anije që mbërriti së fundmi në Portin e Vigos.
Ngarkesa mbërriti këtë të hënë në terminalin e Vigos nga një anije kontejnerësh që vinte nga Amerika e Jugut, në rrugën e njohur si “rruga e frutave”. Policia dhe Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore kishin pritur mbërritjen e anijes, duke dyshuar për praninë e një ngarkese të paligjshme.
Rasti rikujton një ngjarje të ngjashme një vit më parë, kur autoritetet spanjolle penguan hyrjen e 1,250 kilogramëve kokainë të lidhur me mafian shqiptare në Portin e Vigos, operacion në të cilin u arrestuan 9 persona, përfshirë shtetas shqiptarë dhe belgë.