Vendosni fjalën kyçe....

Fotovoltaikët, numri i të licencuarave në prodhim arriti 71 në fund të 2025


Investimet në prodhimin e energjisë nga impiantet fotovoltaikë janë rritur ndjeshëm viteve të fundit.

Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se viti që lamë pas u mbyll me të paktën 71 të licencuar në prodhimin e energjisë nga impiante diellorë.

Më i fundit i licencuar është Spitalla Solar pjesë e Voltalias dhe investimi i dytë i kësaj kompanie në vendin tonë pas Karavastasë që ka nisur prodhimin nga fundi i vitit 2023. Pavarësisht se pjesa dërmuese e licencave janë marrë nga operatorë që kanë kapacitet të instaluar të ulët 2-10 MW janë të paktën 14 subjekte që kanë kapacitet të instaluar mes 20-140 MW.

Vetëm këta të fundit kanë një kapacitet të instaluar total prej 780MW ku një pjesë ka hyrë në prodhim ndërkohë që shumica janë në ndërtim e sipër.

Interesi për energjinë diellore mori nxitje pas miratimit të kuadrit ligjor por edhe nxitjes që iu bë përmes ankandeve fillimisht nga qeveria dhe më pas me projekt konkrete të privatëve të cilët panë rritje pas krizës së energjisë.

Ky interes vijon të mbetet konstant madje investitorë që tashmë kanë projekte të përfunduara siç është Karavasta Solar pjesë e Voltalia apo kompania InfoTelecom që ka edhe ajo projekte në fotovolatikë kanë nxitur bashkëpunime për marrjen e tokës në përdorim nga palë private.

Pak ditë më parë gjatë një aktiviteti për energjinë nga era, ku qeveria shqiptare dorëzoi autorizimin për kompaninë CWP që synon të ndërtojë një impiant eolik 600 MW në Tropojë, u dhanë edhe shifra konkrete lidhur me interesin për fotovolatikët. Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë Belinda Balluku tha se investimet private në këtë segment për investime të kryera apo në proces llogariten ne 2 miliardë euro.

“Gjatë këtyre viteve në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 mld euro investime dhe sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja energjetike private fotovolatike në operim dhe 400 më kapacitete të shtuara vetëprodhues e kemi një portofol të ardhshëm që pritet ti çojë në 1500 MW me teknologji fotovolatike dhe eolike. Kemi mbi 1600 MW të reja depozituesve në fazë studimi dhe lehtësim financiar” do në nënvizonte Balluku. /Monitor