
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për drejtimin që po merr ekonomia shqiptare, duke e cilësuar modelin aktual si të pabalancuar dhe të rrezikshëm për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku i referohet të dhënave të fundit të Banka e Shqipërisë dhe INSTAT, sipas të cilave ekonomia vijon të shënojë rritje në terma statistikorë, ndërsa kapacitetet prodhuese, industria dhe bujqësia janë në rënie.
Sipas saj, rritja ekonomike aktuale mbështetet pothuajse ekskluzivisht te turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik, duke lënë pas sektorët që krijojnë vlerë të shtuar reale dhe vende pune të qëndrueshme.
“Shifrat nuk janë thjesht statistika. Janë një paralajmërim për drejtimin që po merr ekonomia shqiptare”, shkruan Tabaku.
Deputetja thekson se burimet ekonomike po zhvendosen nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e industrisë dhe bujqësisë. Sipas saj, kjo ka sjellë rritje të kostove, dobësim të eksporteve dhe zëvendësim të prodhimit vendas me importe.
Në këtë kontekst, Tabaku paralajmëron se Shqipëria po shndërrohet në një ekonomi që jeton nga sezoni dhe shërbimet, duke e quajtur këtë model një “ekonomi hoteli”.
“Nuk po ndërtojmë një ekonomi prodhimi. Po shesim shërbime, tokë dhe beton, ndërsa prodhimi dhe zinxhirët e vlerës po tkurren”, nënvizon ajo.
Tabaku ndalet edhe te pasojat sociale të këtij modeli ekonomik, duke theksuar se rritja e kostos së jetesës, polarizimi social dhe dobësimi i shtresës së mesme janë tashmë të dukshme. Sipas saj, pagat po rriten jo si rezultat i rritjes së produktivitetit, por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të shkaktuar nga emigracioni dhe kriza demografike.
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja e PD thekson se një ekonomi e bazuar vetëm në turizëm dhe ndërtim nuk mund të garantojë zhvillim të qëndrueshëm.
“Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund. Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, rrezikojmë të mbetemi një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët tanë”, përfundon Tabaku.