
Vijojnë të jenë të bllokuara disa rrugë në Njësinë Administrative Zagori, konkretisht në fshatrat Zhej, Lliar dhe Topovë, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave. Autoritetet po vlerësojnë mundësinë e ndërhyrjes, ndërsa theksohet se formacionet e dheut mbeten të paqëndrueshme dhe paraqesin rrezik.
Ndërkohë, në fshatin Memaliaj, një rrugë e brendshme vijon të jetë e bllokuar, duke izoluar pesë banesa. Puna për pastrimin e dherave dhe normalizimin e qarkullimit në rrugët e brendshme pritet të vazhdojë.
Situata po monitorohet nga strukturat përkatëse, ndërsa ndërhyrjet do të kryhen sapo të krijohen kushtet e sigurta për stabilitetin e terrenit.