
Dy persona, babë e bir, janë shpallur në kërkim nga policia e Lezhës, pasi dyshohet se janë përfshirë në një konflikt të armatosur që ka përfunduar me plagosjen e dy kushërinjve.
Mësohet se bëhet fjalë për Gëzim Ndokën, vëllain e ish-deputetit Arben Ndoka, dhe djalin e tij, Kevin Ndoka.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në ambientet e një lokali në Lezhë, ku Gëzim dhe Kevin Ndoka janë konfliktuar me shtetasit Gjergj dhe Nikolin Marku, të dy 41 vjeç.
Pas përplasjes, dy kushërinjtë kanë marrë dëmtime dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë paraqitur në Komisariatin e Lezhës për të bërë kallëzimin.
Sipas deklarimeve të tyre, babë e bir kanë qenë të armatosur gjatë konfliktit.
Policia ka nisur menjëherë kërkimet për kapjen e tyre, ndërsa një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet po verifikojnë motivet e konfliktit, i cili paraprakisht dyshohet se ka ndodhur për shkaqe të dobëta, ndërsa pritet të mblidhen prova dhe dëshmi të tjera që do të ndihmojnë në hetim.