Vendosni fjalën kyçe....

Administrata Trump synon të padisë Jerome Powell, rritet tensioni me Fed-in


Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka ashpërsuar konfliktin me Rezervën Federale, duke kërcënuar me ngritje akuzash penale ndaj kreut të Fed-it, Jerome Powell, lidhur me deklaratat e tij në Kongres për një projekt rinovimi me kosto 2.5 miliardë dollarë.

Powell e quajti këtë veprim një “pretekst” për të ushtruar kontroll mbi politikën monetare dhe normat e interesit.

Powell deklaroi se Departamenti i Drejtësisë i ka dorëzuar Fed-it thirrje gjyqësore të premten, duke e paralajmëruar për një hetim penal, përcjell Reuters.

Ai theksoi se akuza nuk ka të bëjë me dëshminë e tij në Kongres, por është pasojë e faktit që Fed-i vazhdon të vendosë normat e interesit “bazuar në vlerësimin tonë të pavarur dhe jo sipas preferencave të Presidentit”.

Senatori republikan Thom Tillis kritikoi hapur Administratën Trump, duke vënë në dyshim pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë.

Ai paralajmëroi se do të bllokojë çdo kandidat të ri të Trump për Fed-in “deri sa çështja të sqarohet plotësisht”.

Tensioni solli reagime të menjëhershme në tregje: rendimentet e obligacioneve amerikane u rritën, ari arriti rekorde historike, dollari ra, ndërsa bursat amerikane u hapën në rënie, veçanërisht bankat, të goditura edhe nga propozimi i Trump për kufizimin e normave të kartave të kreditit.

Ekonomisti i Goldman Sachs, Jan Hatzius, paralajmëroi se pavarësia e Fed-it “po vëhet seriozisht në shënjestër”.

Powell, i emëruar në krye të Fed-it nga Trump në vitin 2017, e përfundon mandatin në maj, por mund të qëndrojë si anëtar i Bordit të Guvernatorëve deri në vitin 2028.

Analistët thonë se veprimet e fundit mund ta shtyjnë atë të qëndrojë edhe më gjatë për të treguar pavarësinë institucionale.

Kërcënimi vjen vetëm dy javë para se Gjykata e Lartë të shqyrtojë përpjekjen e Trump për të shkarkuar një tjetër guvernatore të Fed-it, Lisa Cook.

Në deklaratën e tij, Powell theksoi:

“Ky veprim i paprecedent duhet parë në kontekstin e presioneve të vazhdueshme të administratës për norma më të ulëta interesi dhe më shumë kontroll mbi Fed-in.”

Trump, nga ana e tij, u shpreh për NBC News se nuk kishte dijeni për hetimin, duke shtuar:

“Ai thjesht nuk është shumë i mirë as me normat, as me ndërtesat.”

Ekspertë të pavarur e cilësuan hetimin si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve ekonomike të SHBA-së.

Peter Conti-Brown, historian i Fed-it në Wharton, e quajti këtë moment “një pikë të ulët në historinë e bankës qendrore amerikane”, duke shtuar se Trump po përdor “peshën e ligjit penal kundër kreut të Fed-it” pasi nuk ka arritur të ndikojë politikën monetare.

Përplasja pritet të thellohet, teksa administrata Trump vazhdon kërkesën për ulje drastike të normave të interesit në emër të përballueshmërisë ekonomike, ndërsa Fed-i vazhdon të theksojë se prioritet mbetet kontrolli i inflacionit.