Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria izraelite vret tre persona në Gaza


Sulmet izraelite vranë të paktën tre palestinezë në dy incidente të ndryshme në mbarë enklavën, njoftuan autoritetet lokale të shëndetësisë, ndërsa tensionet rriten për shkak të dhunës së vijueshme që nga armëpushimi i tetorit.

Mjekët thanë se një palestinez u vra në lagjen Tuffah në qytetin e Gazës, në një zonë nën kontrollin palestinez, ndërsa dy të tjerë u vranë në Gazën jugore, në qytezën Bani Suhaila në lindje të Khan Younis, një zonë ende nën kontrollin e Izraelit, shkruan Reuters.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj qëlluan mbi një “terrorist” i cili hyri në zonën nën kontrollin e tyre në Rripin e Gazës veriore, duke paraqitur një kërcënim të menjëhershëm.

Nuk pati asnjë koment për incidentin në jug të enklavës. Luftimet janë pakësuar kryesisht që kur Izraeli dhe grupi militant palestinez Hamas ranë dakord për një armëpushim në tetor, dy vjet pas fillimit të luftës, por ato nuk kanë ndaluar plotësisht. Izraeli dhe Hamasi kanë shkëmbyer akuza mbi shkeljet e marrëveshjes.

Një zyrtar i Hamasit i tha Reuters-it të dielën se grupi u bëri thirrje ndërmjetësve që të ndërhyjnë për të ndaluar “vrasjet e përditshme izraelite që synojnë të dështojnë marrëveshjen e armëpushimit”.

Më shumë se 440 palestinezë, shumica e tyre civilë sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gazë, janë vrarë që nga armëpushimi, si dhe tre ushtarë izraelitë.