
Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës gjatë 24 orëve të fundit kanë rënduar situatën hidrike dhe rrugore në të gjithë vendin. Nga veriu në jug, lumenjtë kanë dalë nga shtretërit duke përmbytur qindra hektarë, ndërsa trashësia e dëborës ka izoluar dhjetëra fshatra.
Jugu – Alarmi në Vlorë dhe Fier
Në qarkun e Vlorës, lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati në zonën e Urës së Mifolit. Niveli aktual ka arritur në 7.45 metra, por parashikimet janë ogurzeza: pritet që në orët në vijim uji të ngjitet deri në 9 metra. Ndërkohë, në aksin e Qafës së Vishës, qarkullimi mbetet i vështirësuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Fier, ku lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë vërshuar mbi tokat bujqësore, duke kërcënuar edhe brendësinë e disa banesave në zonat rurale.
Qendra – Fushë-Kruja nën “rrethim”
Në Malësinë e Krujës, trashësia e dëborës ka arritur në 25 cm, duke bllokuar plotësisht aksin Krujë-Qafështamë. Ndërkohë, në ultësirë, lumi Ishëm ka përmbytur qindra hektarë. Situata mbetet kritike në fshatin Murqinë, ku dy lagje janë totalisht të izoluara nga rrethimi i ujit.
Veriu – Përmbytje në Shkodër dhe bllokime në Dibër
Në Shkodër, rreth 525 hektarë tokë mbeten nën ujë. Megjithëse lumenjtë janë brenda kuotave, zona e Obotit mbetet e aksesueshme vetëm përmes mjeteve të ushtrisë. Në zonat e thella si Iballa, trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 cm, duke ndërprerë komunikimin me qendrat urbane.
Në qarkun e Dibrës, dëbora ka mbuluar qytetin e Peshkopisë (20 cm) dhe zonat e thella (deri në 40 cm). Rruga e Arbrit mbetet e kalueshme, por autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal, veçanërisht në segmentin Qafa e Buallit-Tuneli i Murrizit.
Energjetika – Fierza hap portat
Për shkak të prurjeve të mëdha, Hidrocentrali i Fierzës ka arritur kuotën maksimale prej 292.60 metrash. Për të menaxhuar situatën, ka nisur shkarkimi i kontrolluar prej 500 m3/sek përmes portës së tretë, ndërsa po punohet me kapacitet të plotë me tri turbina për prodhimin e energjisë.