
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër qeverinë dhe grupet kriminale për zjarrin e madh që përfshiu zonën e “5 Majit” në Tiranë, ku u shkrumbuan mbi 100 biznese. Gjatë deklaratës së tij, Berisha tha se pas ngjarjes qëndron “mafia e drogës dhe e kokainës”, e cila sipas tij synon të pastrojë zonën për të ndërtuar kulla.
“Është koha që PD të bëjë gjithçka për angazhimin maksimal në misionin e saj. Në të njëjtën kohë kur qeveria nuk jep asnjë ndihmë dhe nuk cakton fonde, digjen 2 mijë biznese në mes të Tiranës. Mijëra qytetarë humbasin burimin e të ardhurave. Qindra mijëra shqiptarë që blinin te ai treg, sot nuk kanë më mundësi. Mafia e kokainës dhe e drogës i dogji ato për të ndërtuar kulla në atë shesh”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi autoritetet se po heshtin përballë një ngjarjeje që, sipas tij, ka shkaktuar pasoja të rënda për komunitetin dhe ekonominë e vogël familjare.
Berisha theksoi se PD do të kërkojë transparencë të plotë për zjarrin dhe se nuk do të lejojë, siç tha ai, “spastrimin me forcë të territorit në funksion të oligarkëve dhe grupeve kriminale”.