Vendosni fjalën kyçe....

Liderët politikë në Groenlandë sfidojnë Trumpin: “Nuk duam të bëhemi amerikanë”


Liderët politikë të Groenlandës kanë deklaruar se “nuk duan të bëhen amerikanë” dhe se vetëm populli i tyre mund të vendosë për të ardhmen e ishullit arktik, pasi Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti kërcënimet e tij për ta marrë territorin “me mënyrën e mirë ose me më të vështirën”.

Pesë partitë kryesore të parlamentit të Groenlandës publikuan një deklaratë të përbashkët të premten mbrëma, pak pasi Trump përsëriti synimin për të siguruar kontroll mbi ishullin e pasur me minerale, sipas The Guardian.

Nuk duam të jemi amerikanë, nuk duam të jemi danezë, duam të jemi groenlandezë,” thuhet në deklaratë, e firmosur nga kryeministri Jens-Frederik Nielsen, ish-kryeministri Múte B. Egede, si edhe nga politikanët Pele Broberg, Aleqa Hammond dhe Aqqalu C. Jerimiassen.

E ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset nga vetë groenlandezët.

Liderët nënvizuan se askush nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen për të ardhmen e Groenlandës, e cila dikur ishte koloni daneze. “Asnjë vend tjetër nuk mund të ndërhyjë. Duhet ta vendosim vetë, pa presion, pa ngutje dhe pa ndërhyrje të jashtme,” shtuan ata.

Më herët të premten, në një takim në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësues të industrisë së naftës dhe gazit, Trump deklaroi se Groenlanda ishte vendimtare për sigurinë kombëtare amerikane.

Nuk do të lejojmë që Rusia apo Kina ta pushtojnë Groenlandën. Këtë do ta bëjnë nëse ne nuk veprojmë. Prandaj, ne do të bëjmë diçka me Groenlandën, ose me mënyrën e mirë ose me më të vështirën,” tha ai.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi këtë javë se presidenti është duke diskutuar “aktivisht” një ofertë të mundshme për blerjen e ishullit.

Sondazhet tregojnë se 85% e groenlandezëve refuzojnë çdo ide të bashkimit me SHBA-në, ndërsa vetëm 7% e amerikanëve mbështesin një ndërhyrje ushtarake.

 Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi se një veprim i tillë “do të shkatërronte NATO-n dhe rendin e sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, refuzoi të komentojë nëse aleanca do të mbijetonte pa SHBA-në, por tha se situata nuk paraqiste shenja krize.

Ne jemi të gatshëm të mbrojmë çdo centimetër të territorit të aleancës,” deklaroi ai.

SHBA ka operuar një bazë të përhershme ushtarake në veriperëndim të Groenlandës që prej Luftës së Dytë Botërore, ku janë dislokuar mbi 100 trupa. Marrëveshjet ekzistuese me Danimarkën i japin Washingtonit të drejtën të dërgojë më shumë forca në territor.

Por Trump tha se një marrëveshje qiraje “nuk ishte e mjaftueshme”:
Vendet kanë nevojë të kenë pronësi. Pronësinë e mbron, jo qiratë,” u shpreh ai.

Trump kishte bërë një përpjekje për të blerë Groenlandën edhe në vitin 2019, por ishte refuzuar.

Ai pretendon se ishulli është “i mbushur me anije ruse dhe kineze”, deklaratë që autoritetet lokale e mohojnë.

Kreu i konfederatës së sindikatave të Groenlandës, Jess Berthelsen, i tha Guardian se banorët nuk kanë parë prova për pretendimet e Trumpit.

Nuk i shohim, nuk i njohim dhe nuk i kuptojmë këto deklarata,” tha ai.