Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Ramën dhe Ballukun për keqmenaxhimin e përmbytjeve: Shkuan për show, pasi vodhën investimet që duhej të mbronin qytetarët


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, duke i cilësuar përgjegjës për situatën e rëndë të përmbytjeve që goditën disa zona të vendit.

Gjatë fjalës në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Berisha tha se qeveria ka dështuar në menaxhimin e infrastrukturës mbrojtëse dhe se mungesa e investimeve është shkaku kryesor i dëmeve të mëdha të shkaktuara nga reshjet.

Sipas tij, Balluku është dërguar në zonat e përmbytura “për show”, ndërsa akuzoi Ramën se po përpiqet ta rehabilitojë politikisht pas “vjedhjeve masive”, siç i cilësoi ai.

“Pasi ka vjedhur miliona euro, Rama e çon Ballukun në zonat e përmbytura. Këtë e çon tek ura e Mifolit, njësoj si të çosh litarin tek shtëpia e të varurit. Investimet që duhej të mbronin qytetarët ishin jashtë funksioni sepse ishin vjedhur”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se kanalet e ujërave nuk janë pastruar dhe se ndërhyrje të shumta i kanë bërë ato të papërdorshme.

Sipas tij, akuzat për neglizhencë dhe abuzime janë evidente sidomos në Durrës, ku sipas Berishës, “hidrovoret nuk funksionuan sepse pompat ishin zhdukur”.

Berisha kritikoi ashpër edhe zhvendosjen e hidrovorit të Hamallajt, duke thënë se kjo ka ulur kapacitetin e shkarkimit dhe ka përkeqësuar përmbytjet.

Duke iu referuar situatës në Vjosë, ai tha: “Rreziku dihet prej kohësh dhe asnjë masë nuk është marrë.”

Kreu i PD-së bëri thirrje për reagim publik ndaj qeverisë, duke i ftuar qytetarët që “t’i përballin dhe t’i refuzojnë” drejtuesit e qeverisë kudo që i shohin.

Sipas Berishës, dëmet nga përmbytjet janë kryesisht pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit nga qeveria. Ai shtoi se në vend të përgjegjësisë politike, Rama “dërgon Ballukun për të dhënë mesazhin se ‘kemi vjedhur dhe do të vazhdojmë të vjedhim’”.

Berisha përfundoi se prapa çdo abuzimi që lidhet me infrastrukturën dhe përmbytjet “qëndron Rama”.