Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Spitallës në protestë, iu bashkohen dhe deputetë të opozitës


Banorët e një lagjeje në Spitallë janë ngritur sot në protestë për shkak të problematikave të shumta në projektimin dhe zbatimin e rrugës lokale. Ata ankohen se rruga, e ndërtuar nga një firmë private, është pa projekt, trotuaret janë vetëm 30 centimetra të gjera, ndërsa shtyllat e elektricitetit janë të vendosura në mënyrë të rrezikshme në mes të trotuareve.

Ata thonë se kanalizimet e bllokuara kanë shkaktuar përmbytje të shpeshta, duke rrezikuar jetën e banorëve, veçanërisht të fëmijëve. Në këtë zonë jetojnë rreth 300 familje dhe qarkullimi i automjeteve, si edhe siguria e këmbësorëve, mbeten problematikë. Banorët kujtojnë se në këtë rrugë kanë humbur jetën dy burra dhe një fëmijë, raporton BW.

Protestës iu bashkuan edhe deputetë të opozitës. Igli Cara akuzoi për shpërdorim të taksave të qytetarëve të Durrësit, ndërsa Iliriana Kucana, ish-kandidate për deputete, deklaroi se trotuaret janë ndërtuar me standarde minimale dhe paralajmëroi kallëzim në SPAK, duke kërkuar përgjegjësi për autorët e projektit.