Vendosni fjalën kyçe....

“Të dalim menjëherë nga NATO” – Nënkryetarja e parlamentit francez e trishtuar nga veprimet e Trump-it


Nënkryetarja e parlamentit francez, Clémence Guetté, njoftoi se ka dorëzuar një propozim për tërheqjen e planifikuar të Francës nga NATO, duke shprehur pakënaqësi me politikat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Ajo e bëri propozimin në një mesazh në rrjetin social X.

Sipas Guetté, çështja e pjesëmarrjes së Francës në NATO, të cilën ajo e përshkroi si një aleancë ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe efektivisht të varur prej tyre, po bëhet gjithnjë e më urgjente. Ajo përmendi se nisma e saj parashikon tërheqjen e Francës nga NATO, duke filluar me komandën e integruar ushtarake, shkruan PRM.

Ajo tha se ishte e shqetësuar nga veprimet amerikane, si ai në Venezuelë, ku u arrestua presidenti i vendit, deklaratat e Trump për aneksimin e mundshëm të Groenlandës si dhe mbështetjen për atë që ajo e quajti gjenocid në Palestinë.

Guetté theksoi se, sipas mendimit të saj, Shtetet e Bashkuara nën presidencën e Trump po bombandojnë kombe të tjera, duke shkelur rëndë ligjin ndërkombëtar.

Më herët, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rikonfirmoi rëndësinë strategjike të Groenlandës për sigurinë e SHBA-së. Ai deklaroi se ishulli luan një rol kyç në kundërvënien ndaj veprimtarive në rritje të Rusisë dhe Kinës në Arktik.