Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria, Kolumbia e Evropës” – Berisha



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë gjatë tryezës së PD-së me partitë opozitare, shoqërinë civile dhe intelektualët, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend të kapur nga kartelet e drogës dhe të shndërruar në një rrezik serioz për rajonin dhe më gjerë.

Sipas Berishës, në kuadër të klasifikimit të karteleve të drogës si organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose në të njëjtin nivel me Kolumbinë. Ai deklaroi se kartelet shqiptare përcaktojnë sot çmimin e drogës në Evropë dhe se “aksionerët më të mëdhenj” të këtij trafiku janë të lidhur me kryeministrin Edi Rama dhe grupe kriminale pranë qeverisë.

Berisha përmendi Diego Benitez, një trafikant që sipas tij qarkullon 350 ton kokainë në Paraguaj, i cili bashkëpunon me 41 klane shqiptare, duke shtuar se aktiviteti i këtyre grupeve shtrihet tashmë edhe në SHBA, Australi, Azi dhe vende të tjera. Ai i cilësoi grupet shqiptare si transportuesit kryesorë të kokainës dhe miliarderët më të mëdhenj të këtij trafiku.

Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për krijimin e një “narko-diktature” që dikton rezultatet zgjedhore, ka futur 28 deputetë në Kuvend dhe kontrollon çdo vendimmarrje politike, përfshirë emërimin e ministrave. Ai përmendi edhe Ergys Agasin si person shumë të afërt me kryeministrin Rama dhe të lidhur me bandat kriminale.

“Ergys Agasi për llogari të bandave dhe të tij ka larguar nga detyra tre ministra të brendshëm. Është shndërruar në rrezik për Evropën dhe qytetarët e vetë. Ministrat, drejtori i policisë dhe drejtorë agjencish janë të lidhur me klanet e drogës, sepse padrino i vendit e konsideron drogën si rrugë zhvillimi”, tha Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për pastrim të parave të drogës përmes sektorit të ndërtimit, duke theksuar se niveli i ndërtimit në Shqipëri është rreth 300% më i lartë se mesatarja e BE-së, ndërsa çmimet e banesave janë “në nivele stratosferike”.

Berisha përmendi pasojat sociale dhe ekonomike, duke deklaruar se mbi 43% e shqiptarëve janë larguar nga vendi në 10 vitet e fundit dhe se zhvlerësimi i euros dhe goditja ndaj pensionistëve dhe eksportuesve ka çuar shumë prej tyre drejt falimentimit.