
Ish-zv.kryeministri Ahmetaj zbuloi mbrëmjen e sotme të dhëna nga dhjetëra dosje, duke akuzuar kryeministrin Rama se e kishte dorëzuar Shqipërinë te grupet kriminale, kartelet e kokainës dhe oligarkët.
I ftuar në emisionin “Çim Peka Live”, ish-numri dy i qeverisë e akuzoi Ramën si kreun e grupit të strukturuar kriminal.
Pasi denoncoi kërcënimet me ketë ndaj tij dhe familjarëve të tij, Ahmetaj renditi dhjetëra akuza ndaj kryeministrit Rama, zv.kryeministres Balluku e bashkëpunëtorëve të afërt të kreut të qeverisë.
Akuzat e Ahmetajt përfshinin projektin e Eco Parkut, projektin Smart City, kompanina Kayo, rrugën Thumanë-Kashar.
Gjenocid e kanosje me jetë ndaj familjes
“Ndaj meje dhe familjes time është ushtruar një fushatë e vazhdueshme, e organizuar dhe e paprecedentë presioni dhe persekutimi gjatë një viti të fundit. Genocid, rast unik në 30 vitet e fundit të politikës shqiptare.
Ka një strukturë mafioze të mirëorganizuar brenda dhe jashtë qeverisë, me drejtues, instrumente politikë dhe individë të afërt me zyrën e kryeministrit.
Kjo strukturë përfshin edhe krimin e organizuar dhe media të financuara nga qeveria, të cilat janë përdorur për ta goditur publikisht.
Fëmija im ka qenë nën kërcënim për rrëmbim, kam prova për këtë dhe institucionet nuk kanë vepruar.
Jam kërcënuar drejtpërdrejt në ambientet ku banoja me qira dhe kam pasur informacion nga burime shërbimesh për një plan kriminal për sekuestrim ilegal dhe deri në eliminim fizik dhe autoritetet shqiptare kanë qenë të informuara për këtë plan.”
Dëmi ndaj shqiptarëve 14 miliardë euro, akuza Dumanit
Janë ekspozuar publikisht afera të shumta korruptive, por pa pasoja reale institucionale. Ahmetaj e akuzoi SPAK-un dhe drejtuesin e tij, Altin Dumani, për dështim në ndjekjen dhe rikuperimin e dëmit ekonomik. Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit dhe ekonomisë shqiptare arrin në 13–14 miliardë dollarë.
SPAK nuk ka hetuar çështje madhore, përfshirë:
Inceneratorin e Tiranës (rreth 250 milionë dollarë dëme të pretenduara)
Projektin e tunelit të Llogarasë
AKSHI-n
Projektet rrugore dhe zinxhirët e nënkontraktorëve.
Eco Parku projekt i Ramës
Projekti i Ekoparkut është realizuar dy vjet pasi Lefter Koka kishte dalë nga skema përgjegjëse, por përgjegjësia i është atribuar atij qëllimisht. Ai është kërcënuar me rikthim në burg për të mos folur dhe për të mbajtur përgjegjësinë për Eco Parkun. Edi Rama përgjegjës për realizimin e Ekoparkut. Ka letër publike që urdhëron prokurim të drejtpërdrejtë për Eco Parkun, pa procedurë tenderimi. Projekti i Ekoparkut është hartuar nga fëmija i bashkëshortes së kryeministrit dhe se është paguar nga fondet e inceneratorëve.
Infrastruktura kritike e Shqipërisë mund të përfundojë në influencë ruse
Ka dyshime mbi kompanitë dhe ndikime të huaja. Shihni pak “Arkidon Construction”. Të hetohet skualifikimi i dy prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare nga gara. Ka ndikim të drejtpërdrejtë rus në proceset për Portin e Durrësit. Ka lidhje të dyshuara përmes “Cayman Co Service Limited” me kompani të sanksionuara si “Lukoil”. Ka rrezik strategjik që infrastruktura kritike shqiptare t’u kalojë subjekteve nga vende jo-aleate.
Shqipëria madje mund të mbetet pa port funksional dhe me një rrezik të lartë Abitrazhi. Projekti i Porto Romanos përfshin problematika proceduriale, financiare dhe juridike. Përdorimi i kontratës FIDIC cilësohet shumë i rrezikshëm për shkak të mungesës së tavanit real financiar.
Dhe të pyesin Jonaidin e Belindës, kreu i komisionit të prokurorive publike dhe të Taulantit, pse me çfarë arsyesh idiote e skualifikuan dy nga kompanitë më të mëdha në botë. Praktikisht aty del drejtpërsëdrejt influenca e drejtpërdrejtë ruse. Është influenca e drejtpërdrejtë ruse në një infrastrukturë kritike. Del një kompani interesante këtu që është ‘Kaymanko Service Limited’. Aty është një formë sekretarie që të lidh me ‘Lukoil Securities Limited’ e cila është pronë e ‘Lukoil OAO’, që është e sanksionuar.
Projekti Smart City abuzim masiv, do paguhet 15 mijë dollarë një kamera trupi
Kompania fituese është përzgjedhur përmes ndërhyrjeve politike, jo përmes procedurave konkurruese. Projekti është financuar përmes një kredie prej 140 milionë dollarësh nga Abu Dhabi, e dhënë pa tender një kompanie nga Abu Dhabi. Ka shqetësime serioze për sigurinë kombëtare. Të dhëna sensitive (retina, targa, identitet) mund të administrohen nga kompani jashtë NATO-s. Kostot e projektit janë 6–7 herë më të larta se tregu. Çmimi për një kamerë trupi, e integruar në sistem: rreth 15,723 USD. Çmimi për një kamerë monitorimi rrugor: rreth 52,000 USD.
Kayo projekt masiv korruptiv, pas tij qëndrojnë Rama e Ron Yeffet
“Kayo është projekt financiar, jo ushtarak. Në korrik 2024 u bë ligji 88 u krijua Kayo si kompani shtetërore 100%. Pas ligjit u bënë disa VKM…ato i sajonte Elira Kokona. Më pos Kayo u kthye nga kompani shtetërore në kompani tregtare në partneritet privat dhe Kayo mund të negociojë me këdo pa mbikëqyrje. Shteti humb të drejtën e pronës, kompanitë private nën Kayo marrn kontrata ushtarake pa tender. I njëjti person që ka qenë partner te Air Albania, Ron Yefet. Ai ka kërkuar që t’i jepet terreni. Ai ka kërkuar t’i jepet borxhi publik dhe unë e refuzova dhe tani e bën partner të Kayo. Kayo është aferë korruptive. Kayo nuk mund të auditohet nga shteti. Projekti KAYO “shpikje” dhe jo si projekt real industrial i mbrojtjes. KAYO nuk do prodhojë armë apo pajisje ushtarake, por funksionon si projekt financiar. Në letër, projekti u paraqit si modernizim i industrisë së mbrojtjes. Në praktikë, ligji shërbeu si bazë për përdorimin e pasurive shtetërore si kapital tregtar privat, pa mbikëqyrje parlamentare. VKM-të lejuan përdorimin e truallit, ndërtesave, depove dhe infrastrukturës ushtarake publike si kontribute në shoqëri të përbashkëta me privatë, anashkalimin e ligjit të prokurimit publik, përzgjedhjen e partnerëve privatë me negociatë të drejtpërdrejtë, pa konkurrencë. Me ndryshimet e mëvonshme pjesëmarrja shtetërore u ul nga 100% në 45%, e më pas në 20%, shteti humbi të drejtën e vetos. Pasuria publike u kthye në kapital privat pa procedura privatizimi.
Thumanë-Kashar me kosto tejet abuzive, u përdor gjurma e vjetër për rreth 8-11 kilometra
Projekti Thumanë–Kashar cilësohet se ka probleme serioze ligjore dhe financiare. Koncesioni është dhënë me vullnet politik, me ndryshime thelbësore nga kontrata fillestare. Janë shkelur vendime gjyqësore, përfshirë një vendim të Gjykatës së Apelit. Ka probleme me afatin e kontratës, modelin ekonomik, burimet e të ardhurave, garancitë buxhetore (nga zero në rritje), norma e kthimit (nga rreth 7.6% në 8.11%), kostot janë rritur ndjeshëm dhe barra financiare është zhvendosur mbi qytetarët. Koncesioni është dhënë sipas vullnetit të kryeministrit dhe ministrit përkatës. Në projekt janë hequr rrugët dytësore, duke dëmtuar interesin e komuniteteve. Një kusht themelor i kontratës ishte të mos përdorej gjurma e vjetër e rrugës e gjurma e vjetër është përdorur për rreth 8–11 km, në kundërshtim me kontratën.