Vendosni fjalën kyçe....

Bora dhe ngricat bllokojnë automjetet në zonat malore të Elbasanit, tre persona të izoluar në Shmil



Moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura dëbore dhe ngrica ka shkaktuar probleme serioze mbrëmjen e së enjtes në zonat malore të qarkut Elbasan. Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, një automjet me tre persona mbeti i bllokuar në fshatin Shmil, në Njësinë Administrative Labinot, pasi rruga u bë e pakalueshme nga bora dhe akulli.

Personat e izoluar kërkuan ndihmë, por ndërhyrja e shërbimeve rezultoi e vështirë për shkak të terrenit të thyer dhe kushteve të pafavorshme të motit. Situata problematike u raportua edhe në fshatin turistik Gjinar të bashkisë Elbasan, ku disa automjete mbetën të bllokuara në akset rrugore malore.

Sipas informacioneve, pjesa më e madhe e qytetarëve të bllokuar ishin nga qyteti i Elbasanit dhe kishin udhëtuar drejt zonave malore për turizëm dimëror, duke neglizhuar paralajmërimet e autoriteteve për përdorimin e zinxhirëve dhe pajisjeve dimërore. Mjetet pa zinxhirë janë bërë shkaku kryesor i bllokimeve, duke vështirësuar edhe ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme drejt zonave malore gjatë kushteve të motit ekstrem dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të garantuar sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.