
Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Ishëm, duke përkeqësuar situatën e përmbytjeve në disa fshatra të ultësirës së rrethit të Krujës. Niveli i ujit ka vijuar të rritet edhe gjatë natës, ndërsa tokat bujqësore ndodhen nën ujë prej rreth 72 orësh.
Mijëra hektarë tokë të mbjella me kultura të ndryshme janë përmbytur në fshatra si Bilaj, Merqin, Mallkuc, Miliskaj dhe Gramëz. Sipas banorëve, situata po rëndohet nga mosfunksionimi i kanaleve kulluese, të cilat nuk janë pastruar prej më shumë se tre dekadash.
Në fshatin Murqinë, rreth 20 familje kanë mbetur të izoluara, pasi dy lagjet fundore janë tërësisht të rrethuara nga uji. Rruga që i lidh ato me pjesën tjetër të zonës është e mbuluar nga mbi 50 centimetra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin, ndërsa niveli i ujit vijon të rritet.
Banorët shprehen se deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje apo vizitë nga autoritetet, ndërkohë që kërkojnë ndihmë urgjente për normalizimin e situatës dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe jetën e tyre.