
Katastrofa natyrore që ka goditur Durrësin për shkak të motit të keq, por edhe investimeve jo të duhura për përballimin e këtyre situatave, kanë bërë që banorët e qytetit të dalin sot (8 janar) në protestë.
Qindra qytetarë të grupuar janë mbledhur në sheshin kryesor duke marshuar rrugëve të Durrësit dhe hedhur thirrje kundër Bashkisë dhe Qeverisë si shkaktarë kryesore të situatës dhe dëmeve që kanë pësuar.
Nuk munguan edhe thirrjet “Poshtë qeveria”, “Poshtë kryeministri” apo “Durrësi në ujë”.
Madje ata kanë marshuar drejt Bashkisë, duke kërkuar llogari te drejtuesit, por aty janë penguar nga Policia Bashkiake. Ata janë përplasur fizikisht dhe shtyre me efektivët për disa minuta.

“I bashkohemi Durrësit. Ne jemi në mes të ujit dhe përmbytjeve, kurse këta janë në mes të kolltuqeve dhe zyrave. Përgjegjësi e kryetares Emiriana Sako. I bëj thirrje rinisë të mos rrijë lokaleve se është turp, unë jam e moshuar dhe kam dalë t’u bashkohem këtu”, tha një prej protestueseve prezente.
“Kush na ka përmbyt? Qeveria!”, “Rama ik!” dhe “Durrësi shpella e krimit” ishin disa nga thirrjet e tjera të hedhura nga qytetarët.
Kryesisht kanë qenë banorët e zonës së ish-Kënetës, që është edhe më e prekura nga kjo situatë dhe jo vetëm.
Bashkë me ta kanë qenë edhe qytetarë nga lagje të ndryshme, si Shkozetit, Plazhit dhe deri në Sukth.
Durrësi është paralizuar totalisht nga reshjet e dendura të shiut, dhe banorët kanë shprehur shqetësimin pasi banesat e tyre janë nën ujë, po ashtu edhe shumë biznese përballen me probleme.
“Këto 30 vite asnjëherë nuk ka pasur përmbytje të këtyre përmasave në qytetin e Durrësit. Është mbytur, plazhi, Shkozeti, Spitalla, lagja 1, po për Velierën kush e kishte fajin që u mbyt Veliera”, tha një tjetër qytetar./Panorama
