
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare paralajmëroi për situatë të vështirë me përmbytjet gjatë ditëve në vijim për shkak të prurjeve të larta që detyrojnë shkarkime.
“Sot dhe ditët në vazhdim situata sinoptikale pritet të mos ketë përmirësim. Reshjet e shiut do të jenë prezente disa ditë, gjë që nënkupton se sasia e prurjeve të ujit në kaskadë të jetë maksimale,” tha KESH përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas KESH, aktualisht prurjet në Fierzë janë në nivelin 2300 metër kub në sekondë duke bërë që niveli i basenit të rritet me 4 metër brenda një nate dhe duke arritur në 285 metër, nga 296 që është kuota maksimale. Në hidrocentralin e Komanit, prurjet janë 1150 m3/s, ndërsa në atë të Vaut të Dejës 400 m3/s
Komani dhe Vau i Dejës janë aktualisht në nivelet maksimale dhe për këtë arsye KESH është duke shkarkuar sasira të mëdha uji nga këta dy hidrocentrale. Sipas të dhënave të bëra publike nga Koorporata, në Koman shkarkohet aktualisht 1200 metër kub ujë në sekondë, ndërsa në Vaun e Dejës 1600 m3/s.
Shkarkimet e ujit nga basenet e hidrocentraleve pritet të mbeten në nivele të larta përgjatë ditëve të ardhshme, teksa KESH nuk mund të prodhojë dot me kapacitet maksimal pasi nuk ka ku e shet energjinë. Një taksë karboni e vendosur nga Bashkimi Europian, e cila ka hyrë në fuqi në datën 1 janar ka bllokuar totalisht eksportimin e energjisë nga KESH./Kapitali.al