Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli vret katër palestinezë në Gaza, ushtria thotë se goditi një pikë nisjeje raketash


Forcat izraelite kanë vrarë të paktën katër palestinezë në dy sulme të ndara në Rripin e Gazës të enjten, vetëm disa orë pasi ushtria njoftoi se kishte goditur vendin nga ku u tentua një lëshim i dështuar rakete, një tjetër shpërthim dhune që rrezikon armëpushimin e brishtë.

Sipas mjekëve palestinezë, një sulm ajror izraelit goditi një tendë në zonën perëndimore të Khan Younis, duke vrarë të paktën tre persona dhe plagosur tre të tjerë, mes tyre edhe fëmijë.

Një tjetër sulm vrau një person në lindje të qytetit, në afërsi të zonave ku operojnë forcat izraelite. Ushtria nuk ka komentuar menjëherë mbi këto raportime, sipas Reuters.

Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite tha se kishte goditur një pikë nisjeje raketash menjëherë pasi një raketë e lëshuar nga militantët dështoi të hynte në territorin izraelit.

Izraeli akuzoi Hamasin për dy shkelje të armëpushimit brenda 24 orëve të fundit, ndërsa një burim i grupit militant tha për Reuters se akuzat po verifikoheshin.

Armëpushimi i arritur në tetor ka mbetur i bllokuar në fazën e parë: ndalimin e luftimeve të mëdha, tërheqjen izraelite nga më pak se gjysma e Gazës dhe lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të ndaluarve palestinezë.

Plani i administratës së presidentit amerikan Donald Trump parashikon që në fazat pasuese Hamasi të çarmatoset, Izraeli të tërhiqet më tej dhe një administratë ndërkombëtare të nisë rindërtimin e Gazës. Por avancimi ka qenë minimal.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, më shumë se 400 palestinezë dhe tre ushtarë izraelitë janë vrarë, ndërsa mbi 2 milionë banorë të Gazës jetojnë sot në struktura të dëmtuara apo në strehime të improvizuara, në zonën e vogël ku trupat izraelite janë tërhequr dhe Hamasi ka rimarrë kontrollin.

Izraeli po pret ende dorëzimin e trupit të fundit që parashikohet në fazën e parë të marrëveshjes, dhe një zyrtar i afërt me kryeministrin Benjamin Netanyahu ka thënë se nuk do të ketë lëvizje drejt fazës së dytë pa u përmbushur ky kusht.

Po ashtu, Izraeli nuk ka hapur ende pikën kufitare të Rafahut me Egjiptin, një tjetër element i marrëveshjes së mbështetur nga SHBA, duke deklaruar se kjo do të ndodhë vetëm pasi të kthehen mbetjet mortore.

Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të rënda të marrëveshjes. Një zyrtar i Hamasit i tha Reuters se grupi ka dokumentuar mbi 1.100 shkelje izraelite që nga tetori, përfshirë vrasje, plagosje, goditje ajrore dhe tokësore, shembje banesash dhe ndalime të civilëve, duke i kërkuar ndërmjetësuesve të ndërhyjnë.

Hamasi ka refuzuar çarmatosjen dhe ka forcuar kontrollin në terren, ndërsa Izraeli ka paralajmëruar se do të rifillojë ofensivën nëse grupi nuk çarmatoset në mënyrë paqësore.

Sipas shifrave izraelite, militantët e drejtuar nga Hamasi vranë rreth 1.200 persona dhe rrëmbyen 251 të tjerë në sulmin e 7 tetorit 2023. Ndërkohë, ministria e shëndetësisë në territorin palestinez thotë se mbi 71.000 palestinezë janë vrarë nga ofensiva izraelite që atëherë.