
Reshjet e dëborës kanë përfshirë mëngjesin e kësaj të enjteje juglindjen e vendit, me intensitet nga i ulët në mesatar, duke prekur të gjitha bashkitë e qarkut Korçë. Intensiteti më i lartë i dëborës raportohet në zonat e Dardhës, Voskopojës, Ersekës dhe në Qafë Thanë.
Në Qafë Thanë po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, ndërsa e njëjta situatë paraqitet edhe në akset e tjera të qarkut Korçë. Deri më tani nuk raportohen probleme serioze në qarkullimin e mjeteve, megjithëse reshjet vijojnë.
Ndërkohë, pas reshjeve të shiut, dëbora ka nisur të bjerë edhe në të gjithë qarkun e Dibrës. Në zonat e thella malore, si Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, Selishtë, Zall-Dardhë, Reç, Trebisht, Ostren dhe Martanesh, trashësia e dëborës ka kaluar 10 centimetra.
Si pasojë, janë shfaqur vështirësi në qarkullimin e mjeteve, veçanërisht në rrugët që lidhin fshatrat e thella. Situata është përkeqësuar edhe nga rrëshqitjet e dherave dhe shembjet e pjesshme të rrugëve në disa njësi administrative.
Sipas informacioneve nga bashkitë, strukturat vendore ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugëve dhe normalizimin e situatës, me qëllim garantimin e lëvizjes dhe sigurisë së banorëve.