
Autoritetet gjermane kanë nisur rikthimin gradual të energjisë elektrike për mijëra familje në Berlin, pas një ndërprerjeje masive që zgjati katër ditë dhe u shkaktua nga një sulm i dyshuar i ekstremit të majtë ndaj linjave të tensionit të lartë, sipas Euronews.
Rreth 45 mijë familje dhe 2.200 biznese mbetën pa energji elektrike të shtunën në mëngjes, pas një zjarri në një urë që mbart kabllo të tensionit të lartë mbi kanalin Teltow, në jugperëndim të kryeqytetit gjerman. Ndërprerja preku rreth 100 mijë persona, në temperatura shumë të ulëta dimërore.
Operatori i rrjetit energjetik bëri të ditur se energjia po rikthehet gradualisht për të gjitha familjet e mbetura pa furnizim, ndërsa riparimi i dëmeve kërkoi disa ditë punë intensive. Deri të martën, rreth 25.500 familje dhe 1.200 biznese, kryesisht në zonën Zehlendorf, vijonin të ishin pa energji.
Kjo ndërprerje cilësohet si më e gjata në Berlin që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Hetuesit po fokusohen në një deklaratë përgjegjësie të publikuar nga një grup i ekstremit të majtë, me titull “T’ua fikim energjinë sunduesve”, ku pretendohet se është sabotuar një central me gaz në zonën Lichterfelde. Sipas grupit, qëllimi ishte goditja e industrisë së energjisë fosile dhe jo shkaktimi i ndërprerjeve të gjera të energjisë.
Shërbimi gjerman i inteligjencës së brendshme ka deklaruar se të ashtuquajturat “Grupet Vullkan” kanë kryer sulme ndaj infrastrukturës në Berlin dhe në landin Brandenburg që prej vitit 2011. Një sulm i vitit 2024 ndaj një pyloni energjetik pranë një fabrike Tesla kishte ndalur përkohësisht prodhimin.
Prokuroria Federale e Gjermanisë ka marrë përsipër hetimet, duke dyshuar vepra penale si sabotim antikushtetues, pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe zjarrvënie. Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, tha se riparimi i plotë i rreth 300 metrave kabllo të dëmtuara pritet të përfundojë të enjten.