Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet e dendura shkaktojnë rrëshqitje rruge dhe përmbytje lokale në Selenicë



Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë është regjistruar rrëshqitje e rrugës, si dhe janë dëmtuar dy banesa. Sipas informacionit zyrtar, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa banorët e shtëpive të dëmtuara janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia ndodhet në terren dhe po monitoron qarkullimin e automjeteve, pasi rruga e prekur shërben si lidhje për disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë pranë urës. Sipas autoriteteve, niveli i ujit ka arritur rreth 7 metra, ndërsa prurjet mbeten të larta.

Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.