
Partia Demokratike ka depozituar një tjetër kërkesë për mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me çështjen që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Kërkesa vjen në vijim të interesimit të SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj. Pesë anëtarët e PD-së në Këshill kanë kërkuar sërish thirrjen e këtij organi parlamentar, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit për arrestim.
Një ditë më parë dështoi për herë të katërt mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, për shkak të mungesës së kuorumit. Sipas raportimeve, përfaqësuesit e shumicës socialiste nuk morën pjesë në mbledhje, duke argumentuar se Këshilli duhet të mblidhet vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) apo të Gjykatës Kushtetuese.
Demokratët, nga ana e tyre, insistojnë se Këshilli duhet të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK, duke e cilësuar mosmbledhjen e tij si pengesë ndaj procedurave parlamentare dhe hetimeve në drejtësi.