
Një 48-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Lokacioni”, pasi rezultonte i shpallur në kërkim për kultivimin e rreth 2000 bimëve dhe fidanëve narkotikë në një magazinë në fshatin Marikaj, gjatë vitit 2023.
Sipas Policisë, Klodian Kalemi kishte ngritur një ambient të mbyllur ku kultivonte 1035 bimë narkotike në vazo dhe 907 fidanë në kubikë, duke përdorur lidhje të paligjshme të energjisë elektrike për të furnizuar pajisjet.
Në bazë të vendimit të Gjykatës, Kalemit i duhet të vuajë edhe 2 vite, 2 muaj e 17 ditë burg, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
“Shërbimet e komisariateve nr. 3 dhe nr. 7, të mbështetura nga puna informative për lokalizimin e personave të shpallur në kërkim, finalizuan arrestimin e 48-vjeçarit K. K., i cili fshihej prej disa kohësh.
Sipas hetimeve, në vitin 2023 ai kishte kultivuar në magazinë 1035 bimë dhe 907 fidanë narkotikë, duke përdorur energji elektrike të vjedhur. Materialet u referuan në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.” – njoftoi ploicia.