Vendosni fjalën kyçe....

Kthyen banesat në “shtëpi bari”, arrestohet i riu dhe 3 punonjës të OSHEE, 4 në kërkim


Një 31-vjeçar, i identifikuar si Aurel Çela, është arrestuar në Shkodër, ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi kishin përshtatur dy banesa në fshatin Barbullush si “shtëpi bari”.

Policia ka bërë me dije se janë ndaluar edhe tre punonjës të OSHEE, Flogert Hila, Aleksandër Gjovalini, dhe Zef Nikolli.

Nga kontrollet në dy banesa u sekuestruan 583 bimë kanabis, rreth 7.5 kg kanabis i përpunuar, dhjetëra pajisje elektrike dhe celularë.

Njoftimi:

 

Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, dhe të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.

Në këtë kuadër u organizua dhe u finalizua faza e pestë të operacionit policor të koduar “Neonët”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gj. G., 46 vjeç, L. G., 53 vjeç, E. G., 43 vjeç dhe M. G., 51 vjeç, të gjithë banues në fshatin Barbullush.

Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit F. H., 31 vjeç, banues në fshatin Ashtë, A. Gj., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, dhe Z. N., 27 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Nga kontrollet në dy ambiente (banesa), në fshatin Barbullush, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 583 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 7 kg e 490 gr kanabis, 307 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 3 celularë.

Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.