
Pas përmbytjeve masive të regjistruara në qytetin e Durrësit si pasojë e reshjeve intensive, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Në një reagim publik, Rama përdori tone ironike, duke iu referuar akuzave të opozitës ndaj qeverisë dhe pushtetit vendor për situatën e krijuar. Kryeministri tha se i duket e çuditshme që ende nuk po fajësohet ai, qeveria apo Bashkia e Durrësit edhe për reshjet e dendura që kanë shkaktuar përmbytje në disa vende të rajonit dhe Europës.
“Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë dhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, po hiç, asnjë llaf”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen ndërsa në disa zona të vendit, përfshirë Durrësin, autoritetet po përballen me pasojat e motit të keq, ndërkohë që opozita ka kritikuar institucionet për menaxhimin e situatës dhe infrastrukturën e kullimit të ujërave.