Vendosni fjalën kyçe....

“Planifikoj të kthehem në Venezuelë sa më shpejt të jetë e mundur”- Machado sfidon Maduron


Udhëheqësja kryesore e opozitës në Venezuelë, Maria Corina Machado, është zotuar të kthehet shpejt në shtëpi, duke lavdëruar Presidentin e SHBA-së Donald Trump për rrëzimin e armikut të saj, Nicolas Maduro , dhe duke deklaruar se lëvizja e saj është gati të fitojë zgjedhje të lira.

“Planifikoj të kthehem në Venezuelë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Machado, 58 vjeç, avokate dhe nënë e tre fëmijëve, e cila u arratis nga Venezuela e maskuar në tetor për të marrë Çmimin Nobel për Paqen, të cilin ia dedikoi Trumpit.

“Ne besojmë se ky tranzicion duhet të ecë përpara”, tha ajo për Fox News në një intervistë të hënën vonë. “Ne fituam zgjedhjet (në vitin 2024) me një fitore të thellë në kushte manipulimi. Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, ne do të fitojmë mbi 90% të votave.”

Machado tha se nuk kishte folur me Trump që nga 10 tetori, kur u njoftua çmimi Nobel. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë në adresimin e problemeve të Venezuelës para çdo zgjedhjeje të re, duke e quajtur jorealist një afat kohor 30-ditor për votim, shkruan Reuters.

“Së pari duhet ta rregullojmë vendin. Nuk mund të kesh zgjedhje. Nuk ka asnjë mënyrë që njerëzit të mund të votojnë”, tha Trump për NBC.

Machado, e cila ka nxitur një opozitë shpesh të përçarë dhe të demoralizuar në vitet e fundit, ishte e zjarrtë në lëvdatat e saj për Trump, duke thënë se do t’ia jepte atij personalisht çmimin Nobel.

“Ai ia ka vërtetuar botës se çfarë do të thotë. 3 janari do të hyjë në histori si dita kur drejtësia mundi një tirani”, tha ajo për bastisjen e së shtunës në Venezuelë.

“Dua të them sot në emër të popullit venezuelian sa mirënjohës jemi për vizionin e tij të guximshëm, veprimet historike që ai ka ndërmarrë kundër këtij regjimi narko-terrorist… Është një hap i madh drejt një tranzicioni demokratik.”