Vendosni fjalën kyçe....

Panamaja shemb monumentin e “miqësisë” me Kinën


Pranë hyrjes së Kanalit të Panamasë, autoritetet lokale kanë urdhëruar shembjen e një monumenti që simbolizonte kontributin e Kinës në këtë rrugë strategjike ujore, një veprim që ka shkaktuar reagime të forta politike brenda dhe jashtë vendit.

Monumenti, i ndërtuar në vitin 2004 për të simbolizuar miqësinë mes Panamasë dhe Kinës, u shemb të shtunën në mbrëmje me urdhër të bashkisë së Arraijan, një zonë pranë Urës së Amerikave që mbikëqyr hyrjen në kanalin interoqeanik.

Autoritetet lokale deklaruan se struktura kishte dëmtime dhe përbënte “rrezik” për sigurinë, përcjell TRT.

Veprimi vjen në një moment tensionesh të shtuara, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar në muajt e fundit se do të rikthejë kontrollin amerikan mbi Kanalin e Panamasë, duke pretenduar se Kina ka ndikim të tepruar në operacionet e tij.

Këto deklarata kanë nxitur shqetësime në Panama dhe reagime të ashpra nga Pekini.

Presidenti i Panamasë, José Raúl Mulino, e dënoi publikisht prishjen e monumentit, duke e cilësuar atë si të pajustifikueshme.

“Nuk ka asnjë justifikim për barbarinë e kryer. Është një akt i pafalshëm irracionaliteti,” deklaroi Mulino të dielën.

Edhe Kina reagoi ashpër. Ambasadorja kineze në Panama, Xu Xueyuan, pas një inspektimi personal në vendin e shembjes, tha se ky veprim ishte “një dhimbje e madhe për miqësinë dypalëshe”, duke theksuar se ai përbën një fyerje për rreth 300 mijë qytetarë panamezë me origjinë kineze.

Kanalin e Panamasë, me gjatësi rreth 80 kilometra, e përdorin kryesisht Shtetet e Bashkuara dhe Kina dhe përmes tij kalon rreth 5% e tregtisë detare globale.

Ai ishte nën kontrollin amerikan nga viti 1914 deri në vitin 1999, kur iu dorëzua Panamasë.

Ndërkohë, Trump ka kërkuar kushte preferenciale për anijet amerikane që përdorin kanalin.

Në këtë kontekst, kompania Hutchison Holdings me bazë në Hong Kong, e cila operon dy porte në anën Paqësore dhe Atlantike të kanalit, ka rënë dakord t’i shesë ato kompanisë amerikane BlackRock, një zhvillim që shihet si pjesë e rivalitetit më të gjerë gjeopolitik mes SHBA-së dhe Kinës.

Ngjarja pritet të thellojë më tej debatet mbi sovranitetin e Panamasë, ndikimin e fuqive të mëdha dhe të ardhmen e një prej nyjeve më strategjike të tregtisë globale.