Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu i dërgon Iranit mesazh përmes Putinit: Izraeli nuk kërkon luftë, por paralajmëron pasoja në rast sulmi



Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka përcjellë Iranit një mesazh përmes presidentit rus Vladimir Putin, duke siguruar se Izraeli nuk ka synim të shkojë në luftë me Republikën Islamike, raportoi të hënën JPost.

Sipas raportit, që citon burime diplomatike, Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me Putinin për t’i kërkuar atij që t’ia transmetojë Teheranit këtë mesazh, në një kohë kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë rritur ndjeshëm.

Putin kishte dërguar një mesazh të ngjashëm edhe në tetor, duke theksuar se Izraeli nuk është i interesuar për përshkallëzim të konfliktit. “Ne po vazhdojmë bisedimet me Izraelin dhe po marrim sinjale nga udhëheqja izraelite me kërkesën që t’u përcjellim miqve tanë iranianë se Izraeli kërkon një zgjidhje dhe nuk është i interesuar për asnjë lloj konflikti”, kishte deklaruar Putin atëherë për agjencinë ruse TASS.

Megjithatë, Netanyahu paralajmëroi Iranin se çdo sulm ndaj Izraelit do të ketë pasoja të rënda. Gjatë një fjalimi në Knesset, ai u shpreh se “nëse sulmohemi nga Irani, pasojat do të jenë të rënda”, duke shtuar se Izraeli nuk do të lejojë rinovimin e programit bërthamor dhe atij të raketave balistike të Iranit.

Netanyahu theksoi se qëndrimi i Izraelit mbetet i pandryshuar: zero pasurim uraniumi nga Irani, largimi i gjithë uraniumit të pasuruar dhe mbikëqyrje e vazhdueshme e objekteve bërthamore.

Duke komentuar protestat e vazhdueshme në Iran, kryeministri izraelit u shpreh se vendi mund të ndodhet në një moment vendimtar, ku populli iranian mund të marrë në duart e veta fatin e tij.