
Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha mbrëmjen e sotme se SHBA-ja e ka vëmendjen edhe te Ballkkani dhe Shqipëria.
Deputeti i opozitës tha se pas arrestimit të presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro është bërë edhe më i qartë prioriteti i administratës Trump kundër karteleve të drogës, narkoterrorizmit dhe diktatorëve.
“Përfaqësues të Departamentit të Shtetit, edhe përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë, si në vizitat e tyre, por edhe gjatë vizitave të autoriteteve të ndryshme të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë të qartë që problemi kryesor është lufta kundër karteleve të drogës dhe krimit të organizuar.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e ka shprehur qartë këtë qëndrim. Po ashtu edhe politikëbërësit apo ligjvënësit amerikanë në kongres, kanë shprehur qartë shqetësimin përsa i përket zhvillimeve në rajonin e Ballkanit. Kjo ndodhi gjatë seancës dëgjimore në Komitetin për Europën.
Më le të kujtoj këtu qëndrimin e kongresmenit Self, që drejtoi këtë seancë dëgjimore, qëndrimin e atyre që dëshmuan në këtë proces, domethënë përsa i përket situatës në rajonin e Ballkanit, duke përmendur në mënyrë të veçantë edhe Shqipërinë, përsa i përket problemeve që ka me respektimin e ligjit, me krimin e organizuar, problemin që ka me zgjedhjet e kështu me radhë.
Shqipëria ka qenë në fokus në diskutimet e të gjithë dhe qëndrimet e Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe të Kongresit Amerikan. Por ajo që është më thelbësore është dokumenti që është National Defense Authorization Act, i cili u miratua nga Kongresi, nga dhoma e përfaqësuesve dhe nga Senati dhe është firmosur tashmë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku janë vendosur dhe afate kohore për një politikë të qartë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për Departamentin e Shtetit, politikat e investimeve në rajon, politika kundër influencave malinje të Rusisë edhe të Kinës në rajonin e Ballkanit dhe probleme të tjera të rëndësishme.
Ballkani ka qenë dhe ngelet në fokus dhe në mënyrë të padiskutueshme Shqipëria ka qenë dhe ngelet në fokus për vetë problemet që ka pasur Shqipëria ose që ka sot, që janë tërësisht të dukshme me korrupsionin e lartë, me krimin e organizuar, edhe me kartelet e drogës, lidhjet e tyre me qeverinë.
Mendoj që do të thotë, tashmë ka një politikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon në raport me Ballkanin, sepse nuk është e shkëputur vetëm Shqipëria, në pikëpamje të sigurisë dhe në pikëpamje, dhe kur flas për sigurinë nuk është vetëm ajo ushtarake, por e sigurisë në raport me krimin e organizuar, trafikun e drogës, e cila influencon jo vetëm shqiptarët në Shqipëri, jo vetëm procesin zgjedhor, por është një cenim i drejtpërdrejtë i jetës dhe sigurisë të qytetarëve amerikanë dhe qytetarëve europianë.
Për vetë forcën dhe potencialin që e ka pasur domethënë vitet e fundit dhe për vetë mënyrën se si ata janë involvuar në ekonominë shqiptare por edhe në problemet e tjera që kanë të bëjnë sidomos me vende të caktuara në Bashkimin Europian, ku dominojnë domethënë qartë dhe fuqishëm dhe e kanë ngritur me shqetësim më të madh agjencitë ligjzbatuese.
Po dëgjojmë antimafien italiane, po dëgjojmë Guardia di Finanza, po dëgjojmë shtete të ndryshme të cilat e kanë ngritur këtë shqetësim. Megjithatë, unë mendoj që do të thotë, është e rëndësishme që ne të kuptojmë këtë shqetësim, po flas si qytetar por edhe si opozitarë, dhe të përpiqemi ta kthejmë në një lloj bashkëpunimi për të bërë maksimumin e mundshëm që kjo situatë në Shqipëri të ndryshojë. Pra, nuk është se ne duhet të rrimë në pozicion të presim se do ndodhi ajo që ndodhi në Venezuelë.
Ne duhet që do të thotë të tregojmë qartë që problemet e Shqipërisë janë probleme shumë të rënda, probleme që cenojnë sigurinë e një vendi anëtar të NATO-s siç është Shqipëria”, tha Mediu në Syri Tv.