
Deputetja demokrate Jorida Tabaku dha alarmin teksa deklaroi se korrupsioni sot ka arritur në nivelin e kapjes së shtetit.
Ajo theksoi se abuzimet me tenderat nga ana e qeverisë janë të jashtëzakonshme teksa solli si shembuj Tunelin e Llogarasë dhe dosjen AKSHI.
Tabaku tha gjithashtu se mosheqja e imunitetit të zv.kryeministres Balluku, e cila akuzohet nga SPAK, është sfidë e hapur e qeverisë dhe socialistëve ndaj drejtësisë.
“Sot korrupsioni është kthyer në nivelin e kapjes së shtetit. Këto e kanë vrarë garën dhe këto ndahen me mesazhe ajo që u ekspozua nga zv/kryeministrja, zonja Balluku e tregon më së miri këtë. Dhe kjo ekonomi e kapur është problemi kryesor që ka Shqipëria. Dhe ky është korrupsioni. Korrupsioni i kapjes së shtetit. 50 mln euro është taksa e korrupsionit te tuneli i Llogarasë. Tek AKSHI ishte 50 % e vlerës së çdo tenderi. Pra me gjithë këto, është nevoja për një mendësi të re, një ekip të ri. Unë besoj se ky sistem do ndryshohet vetëm kur të ikë qeveria. Sot lufta kundër korrupsionit duhet të bërë në nivel kombëtar. Besoj që duhet të flasim më shumë për këtë gjë, edhe ta denoncojmë dhe të ofrojmë alternativa. Rasti i zv/kryeministres dhe i AKSHIT janë raste inkurajuese ku SPAK ka shkuar aty ku është pushteti dhe uroj që SPAK të shkojë edhe më tej, aq më tepër me mbrojtjen politike tani. Në rastin specifik të zv/kryeministres, pasi është hera e parë që Këshilli i Mandateve nuk po arrin të procedojë me imunitetin e zv/kryeministres. Kjo është sfidë e hapur për drejtësinë dhe luftë e hapur me institucionet e drejtësisë”, tha Tabaku.