Vendosni fjalën kyçe....

 “Koha për front të gjerë opozitar” – Berisha fton të gjitha partitë në protestë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e radhës e opozitës do të jetë e hapur për të gjitha forcat politike opozitare, duke ftuar në mënyrë eksplicite krijimin e një fronti të gjerë kundër qeverisë Rama.

I pyetur nga gazetarët nëse protesta e ardhshme do të zhvillohet përpara datës 20 shkurt, në referencë të përvjetorit të ngjarjeve të vitit 1991,

Berisha tha se data do të përcaktohet pas konsultimeve, por nuk e përjashtoi mundësinë që ajo të mbahet para kësaj date.

“Do ftojmë të gjitha partitë. Është koha të krijojmë një front të gjerë opozitar, që forcat opozitare politike të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe dhe t’i japin goditjen e fundit narko-regjimit. Data e radhës do të përcaktohet, por ka shumë mundësi që të mbahet para datës 20 shkurt. Konsultimet nisin sot. Ne nuk heqim dorë, strategjia jonë është protesta,” u shpreh Berisha.

Deklarata e tij shihet si një përpjekje për të bashkuar spektrin opozitar, nga figura dhe lëvizje të reja politike deri te partitë tradicionale, në një aksion të përbashkët kundër qeverisë, të cilën PD e akuzon për korrupsion sistemik dhe lidhje me krimin e organizuar.

Berisha theksoi se opozita do të vijojë presionin politik përmes protestave, duke e konsideruar këtë formë si mjetin kryesor për të kërkuar llogaridhënie dhe për të përmbushur, sipas tij, kërkesën e qytetarëve për ndryshim.