
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar takimin e tij të parë me Klodian Brahon, pas zgjedhjes së këtij të fundit në krye të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të Delegacionit të BE-së në Tiranë në rrjetin social Facebook, ku ambasadori Gonzato thekson pritshmëritë e Bashkimit Evropian për vijimin e rezultateve konkrete dhe të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas Gonzatos, kjo betejë përbën një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa nënvizon rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë.
“Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodian Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” shprehet ambasadori Gonzato në reagimin e tij.
Ai thekson se forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale janë vendimtare për konsolidimin e progresit të deritanishëm dhe për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në sundimin e ligjit.
Në këtë kuadër, ambasadori i BE-së riafirmon mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian për SPAK-un dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
“Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri,” thekson Gonzato.