
Zvicra ka ngrirë asetet që lidhen me presidentin e arrestuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëpunëtorët e tij, pas operacionit të forcave amerikane në Karakas dhe transferimit të tij në Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u konfirmua të hënën nga Këshilli Federal zviceran.
Sipas deklaratës zyrtare, masa hyn në fuqi menjëherë dhe do të jetë e vlefshme për katër vjet.
Qëllimi i saj është të parandalojë largimin e mundshëm të aseteve të dyshuara si të paligjshme nga territori zviceran.
Autoritetet theksuan se ky vendim është një hap shtesë krahas sanksioneve që Zvicra ka vendosur ndaj Venezuelës që prej vitit 2018.
Këshilli Federal sqaroi se ngrirja e aseteve nuk prek anëtarët e qeverisë aktuale të Venezuelës.
Po ashtu, Zvicra bëri të ditur se, nëse identifikohen fonde të përfituara në mënyrë të paligjshme, do të synojë kthimin e tyre për të përfituar populli i Venezuelës.
Vendimi i Bernës vjen në një kontekst tensionesh të shtuara ndërkombëtare pas arrestimit të Madurros nga Shtetet e Bashkuara dhe hapave të njëpasnjëshëm të ndërmarrë nga disa shtete për të kufizuar aktivitetet financiare të lidhura me ish-udhëheqjen e Karakasit.