
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rikthyer sërish idenë e aneksimit të Groenlandës, duke e cilësuar ishullin si thelbësor për sigurinë kombëtare amerikane.
Duke folur për gazetarët, Trump argumentoi se pozicioni strategjik i territorit dhe zhvillimet gjeopolitike e bëjnë atë një çështje kyçe për mbrojtjen e SHBA-së.
“Na duhet një vlerësim serioz nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare. Situata është shumë strategjike tani. Groenlanda është e rrethuar me anije ruse dhe kineze, kudo. Dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta përballojë këtë situatë, këtë mund t’u them”, u shpreh ai.
Kjo deklaratë vjen pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Danimarka për ndalimin e presionit dhe kërcënimeve ndaj sovranitetit të saj.
Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, reagoi ashpër duke deklaruar se “mjaft është mjaft” dhe duke e cilësuar idenë e kontrollit amerikan mbi ishullin si një “fantazi”.
Ai theksoi se Groenlanda është e hapur për dialog dhe diskutime, por vetëm përmes kanaleve të duhura dhe në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.
Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ishte kategorike, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë të drejtë të aneksojnë asnjë nga tre vendet e mbretërisë daneze”.
Ajo nënvizoi se Danimarka, dhe rrjedhimisht edhe Groenlanda, janë pjesë e NATO-s dhe mbulohen nga garancitë e sigurisë së aleancës, ndërsa shtoi se një marrëveshje mbrojtjeje që u jep SHBA-së akses në ishull tashmë ekziston.
Tensionet u shtuan edhe më tej pasi në rrjetet sociale u publikua një hartë e Groenlandës e ngjyrosur me flamurin amerikan dhe shoqëruar me fjalën “SOON”, postim që nxiti reagimin e ambasadorit danez në Uashington, i cili i kujtoi SHBA-së se dy vendet janë aleate dhe se Danimarka pret respektim të integritetit territorial.
Këto zhvillime vijnë paralelisht me valën e reagimeve ndërkombëtare pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga forcat amerikane dhe transferimit të tij në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza penale.
Kina, Irani dhe Rusia e kanë dënuar veprimin e Uashingtonit, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe një precedent të rrezikshëm për sovranitetin e shteteve.
Nga ana tjetër, Trump ka mbrojtur si operacionin në Venezuelë, ashtu edhe deklaratat për Groenlandën, duke i paraqitur të dyja si pjesë të një strategjie më të gjerë për mbrojtjen e interesave dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së, në një botë gjithnjë e më të polarizuar nga rivaliteti me Rusinë dhe Kinën.
Administrata amerikane ka lënë të kuptohet se do të vazhdojë të ndjekë një rol aktiv si në Arktik, ashtu edhe në Amerikën Latine, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga aleatë dhe kundërshtarë ndërkombëtarë.