Vendosni fjalën kyçe....

Shpërndante kokainë në qytetin e Fierit, arrestohet 26-vjeçari pas ndjekjes nga policia


 

Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Fierit, pasi akuzohet se shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në qytet.

I riu tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke u larguar, por u neutralizua dhe u arrestua në flagrancë nga uniformat blu.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, është finalizuar operacioni i koduar “New Start”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, pas një hetimi që ka zgjatur rreth një muaj dhe është ndjekur me metoda speciale hetimi.

Gjatë operacionit, specialistët e antidrogës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, arrestuan shtetasin me inicialet Y. E., 26 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit që ai drejtonte, policia gjeti dhe sekuestroi 81 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të cilën dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.

Policia bën me dije se i riu ka tentuar të largohet për t’iu shmangur arrestimit, por është ndaluar dhe vënë në pranga. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda narkotike, një automjet dhe tre telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore.