
Diskutimet për forcë nga ana e SHBA-së në Arktik pas ndërhyrjes së administratës Trump në Venezuelë janë të ekzagjeruara, dhe frika nga planet amerikane për Groenlandën thonë më shumë për Danimarkën sesa për qëllimet e Uashingtonit, deklaroi Pele Broberg, kreu i të vetmes parti opozitare në Groenlandë, Naleraq.
Broberg foli për Euractiv pas javësh të tëra retorike të ashpër mbi ambiciet e SHBA-së në Groenlandë, të nxitura nga deklaratat e figurave të afërta me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Kreu amerikan ka shprehur interes për ushtrimin e kontrollit mbi Groenlandën, një territor vetëqeverisës brenda Danimarkës, anëtare e BE-së dhe NATO-s.
Pasi Groenlanda mbajti zgjedhjet në mars, politicieni i qendrës së djathtë Jens-Frederik Nielsen ndërtoi një koalicion për të drejtuar qeverinë vendase. Partia e Broberg, Naleraq, është e vetmja parti në parlament që nuk u bashkua, pavarësisht se fitoi 24% të votave. Në atë kohë, partia pro-pavarësisë tha se nuk iu bashkua koalicionit të ri kryesisht sepse nuk ishte e interesuar për ndarjen nga Danimarka në një të ardhme të afërt.
Nëse Uashingtoni do vendoste të kërkonte pavarësinë e Groenlandës nga Kopenhageni dhe të konsolidonte kontrollin e SHBA-së mbi ishullin, partia e Broberg mund të ishte vendi i parë ku mund të fillohej. Megjithatë, Broberg irritohet nga sugjerimi se ai është njeriu i Trump-it në Groenlandë.
“Unë jam njeriu i groenlandezëve në Groenlandë,” tha ai, duke shtuar se dëshiron një Groenlandë që është e pavarur si nga Danimarka, ashtu edhe nga SHBA-ja, por që bashkëpunon me njërën e tjetrën.
Një sondazh i vitit 2025 tregoi se vetëm gjashtë për qind e groenlandezëve dëshirojnë t’i bashkohen SHBA-së, ndërsa një shumicë më e vogël (56%) dëshiron të ndahet nga Kopenhageni.
Sidoqoftë, Broberg, i cili ka shërbyer si ministër në qeveritë e mëparshme lokale, tha se nuk është i shqetësuar nga komentet e Trump pas kapjes së presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, gjatë fundjavës.
Të dielën, ryeministrja daneze Mette Frederiksen i tha SHBA-së të “ndalonte kërcënimet” ndaj Danimarkës dhe Groenlandës. Kreu i qeverisë së Groenlandës gjithashtu u përgjigj, duke shkruar se vendi i tij është plotësisht i vetëdijshëm për vendndodhjen e tij strategjike, por kërkoi respekt nga Uashingtoni.
“Mjaft është mjaft. Jo më presion. Jo më aludime. Jo më fantazi për aneksim,” shkroi Nielsen.
Broberg, megjithatë, argumenton se frika nga aneksimi pasqyron “një lexim danez” të ngjarjeve.
“Nuk ka asgjë me të cilën Amerika mund të na kërcënojë që Danimarka nuk na e ka bërë tashmë,” tha ai, duke iu referuar sjelljes së keqe daneze në administrimin e kombit Inuit, përfshirë skandalin e spiraleve (IUD), në të cilin mijëra grave groenlandeze iu vendosën pajisje brenda uterusit, shpesh pa pëlqimin e tyre ose pa ndjekje mjekësore, shkruan Euractiv.
“Danimarka nuk e mbron Groenlandën. Shtetet e Bashkuara e bëjnë,” shtoi ai, duke iu referuar pranisë së një baze ajrore amerikane në ishull.
Broberg tha se administrata Trump është përpjekur të kontaktojë kreun e ri groenlandez përmes tij, por se Nielsen ka refuzuar. Gazeta daneze Politiken raportoi në nëntor se Uashingtoni u përpoq pa sukses të organizonte një takim dypalësh pa përfshirjen daneze. Zyra e Nielsen refuzoi të komentonte mbi çështjen.
Për Broberg, rruga përpara është hapja e një kanali direkt me Uashingtonin dhe me vetë Trump-in. Groenlanda, tha ai, nuk mund t’ia lejojë vetes që të tjerët të flasin në emër të saj.
“Ne nuk do ta dimë se çfarë duan ata nëse nuk i pyesim,” tha ai.