Vendosni fjalën kyçe....

Rubio: SHBA nuk do të qeverisë Venezuelën, bllokada e naftës mjet presioni pas rrëzimit të Maduros


Shtetet e Bashkuara nuk synojnë të qeverisin Venezuelën pas operacionit të së shtunës që çoi në rrëzimin dhe kapjen e presidentit Nicolás Maduro, por do të përdorin bllokadën e naftës si mjet presioni për ndryshime politike. Kështu deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Në një intervistë të dielën, Rubio theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë zbatimin e një “karantine të naftës”, e cila ishte në fuqi edhe para rrëzimit të Maduros, duke bllokuar cisternat e sanksionuara dhe duke përdorur këtë masë si levë për të ndikuar në politikat e reja në Venezuelë. Sipas tij, qëllimi është jo vetëm mbrojtja e interesave të SHBA-së, por edhe reformimi i industrisë së naftës në dobi të popullit venezuelian dhe ndalimi i trafikut të drogës, përcjell Euronews.

Deklaratat e Rubios duket se synojnë të zbusin shqetësimet se ndërhyrja e fundit amerikane mund ta përfshijë Venezuelën në një tjetër ndërhyrje të gjatë të huaj. Qëndrimi i tij përbën një ndryshim nga deklaratat e mëparshme të presidentit Donald Trump, i cili kishte lënë të kuptohej se SHBA do të “drejtonte” përkohësisht vendin deri në gjetjen e një zgjidhjeje demokratike afatgjatë.

Ndërkohë, udhëheqësja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ftoi presidentin Trump për bashkëpunim dhe shprehu gatishmëri për marrëdhënie “të respektueshme”, duke shënuar një ndryshim të dukshëm toni krahasuar me deklaratat e saj të mëparshme. Ajo theksoi se synon një agjendë bashkëpunimi në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimit të përbashkët.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa janë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e operacionit amerikan dhe pasojat e tij. Kuba njoftoi se 32 oficerë të sigurisë kubanë u vranë gjatë operacionit në Karakas, fakt që u pranua edhe nga presidenti Trump, i cili deklaroi se kishte pasur “shumë viktima nga pala tjetër”, por asnjë nga forcat amerikane.