Vendosni fjalën kyçe....

Presidentja në detyrë e Venezuelës bën thirrje për “paqe dhe dialog” mes presionit të SHBA-së



Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, ka bërë një thirrje publike për paqe, dialog dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e së dielës në rrjetet sociale, në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit mbeten të larta, përcjell Fox News.

Rodríguez theksoi se Venezuela “riafirmon angazhimin e saj për paqe dhe bashkëjetesë paqësore”, duke kërkuar marrëdhënie ndërkombëtare të balancuara dhe të respektueshme mes dy vendeve.

“Vendi ynë aspiron të jetojë pa kërcënime të jashtme, në një mjedis respekti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar”, shkroi ajo.

Presidentja në detyrë vuri theksin edhe te sovraniteti i Venezuelës dhe parimi i mosndërhyrjes, duke e përshkruar qëndrimin diplomatik të vendit si të bazuar në “barazinë sovrane” dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

“Ne i ftojmë Shtetet e Bashkuara të bashkëpunojnë me ne në një axhendë bashkëpunimi të orientuar drejt zhvillimit të përbashkët”, deklaroi Rodríguez.

Në mesazhin e saj, ajo iu referua edhe qëndrimit të ish-presidentit Nicolás Maduro, duke përsëritur kundërshtimin e Venezuelës ndaj çdo forme ndërhyrjeje të huaj.

“President Trump, popujt tanë dhe rajoni ynë meritojnë paqe dhe dialog, jo luftë”, shkroi Rodríguez, duke shtuar se ky mesazh “pasqyron zërin e gjithë Venezuelës në këtë moment”.

Deklarata përmbyllet me një thirrje për unitet dhe me theksimin e së drejtës së Venezuelës për të përcaktuar vetë të ardhmen e saj.

“Venezuela ka të drejtën për paqe, zhvillim, sovranitet dhe një të ardhme”, përfundoi ajo.