Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë: Në spitalin e Traumës janë paraqitur pesë pjesëmarrës të protestës, midis tyre dy efektivë policie



Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas përplasjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mes Policisë dhe aktivistëve e mbështetësve të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ku u lëndua edhe drejtuesi i saj, Adriatik Lapaj.

Sipas njoftimit zyrtar, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur gjithsej pesë persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej policëve ka lënë tashmë ambientet e spitalit, ndërsa tjetri vijon të jetë i shtruar dhe po merr mjekim.

Adriatik Lapaj u transportua me urgjencë në spital pasi u godit në kokë me një bombol gazi. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Lapaj pritet t’i nënshtrohet një ekzaminimi neurologjik dhe më pas të dalë nga spitali.

Po ashtu, për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy protestues, të cilët, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, kanë lënë ambientet e spitalit.

“Në Spitalin Universitar të Traumës mbrëmjen e djeshme janë paraqitur 5 persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Z. Adriatik Lapaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahet nën kujdesin e ekipit mjekësor,” thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkohë, ngjarja ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestës së pandërprerë të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë, e cila ishte zhvilluar prej disa javësh.