
Berisha vlerësoi operacionin ushtarak amerikan që çoi në arrestimin e presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro.
Ai tha se viti që sapo ka hyrë do çojë në rrëzimin e diktaturave komuniste njëra pas tjetrës dhe autokracisë elektorale.
Kreu i PD-së thumboi disa media në vend që sipas tij folën kundër operacionit amerikan dhe i dolën në mbrojtje Maduros.
“Sot diktaturat më të përhapura janë narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale. Lavdi Zotit, ushtria amerikane, qeveria e SHBA-së, në një operacion më të përsosurin në histori, arrestuan dhe nxorrën sot para gjyqit Ramaduron e Venezuelës, apo Maduron e Venezuelës. Mediat e majta, të kontrolluara nga qeveria në Shqipëri, nga mëngjesi gjer në darkë u bien borive se u shkel sovraniteti, se kjo shkeli ligjin ndërkombëtar. Miq, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit të kombeve, dhunuesit më të mëdhenj të ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar janë diktatorët dhe diktaturat. Rrëzimi i tyre është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, ligjin kombëtar, për qytetarët e vendeve të shtypura. Nuk ka sovranitet vendi në të cilin zgjedhjet zëvendësohen me farsë elektorale. Narko-diktatori apo diktatori që shndërron zgjedhjet në farsë shkelmon dhe asgjëson sovranitetin e kombit të tij. Ai nuk meriton një ditë të qëndrojë në pushtet.” – tha Berisha.