Vendosni fjalën kyçe....

HEC-et e Drinit pranë kuotave maksimale, nisin shkarkimet në Koman dhe Vau i Dejës


Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit pranë kuotave maksimale, duke detyruar KESH të nisë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.

Në këtë të fundit, është hapur vetëm një turbinë e cila po shkarkon 500 metër kub ujë për sekondë. 

Ndërkohë, niveli i ujit është i lartë edhe në hidrocentralin e Komanit, ku kanë nisur shkarkimet nga dy porta, për të menaxhuar rritjen e prurjeve dhe për të shmangur tejkalimin e kuotave të sigurisë.

Sipas burimeve, shkarkimet janë diktuar kryesisht nga prurjet anësore, ndërsa lumi Valbona po sjell sasi të konsiderueshme uji në sistem.

Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra të kontrolluar.

Autoritetet po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë kaskadën e Drinit, për të garantuar sigurinë e veprave energjetike dhe zonave përreth.